Mësimi online

Për shkak të situatës së krijuar si rezultat i pandemisë COVID – 19, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka filluar punën rreth organizimit të procesit të mësimit në distancë, përmes prodhimit të materialeve mësimore.

Ne si portal do të zhvillojmë një intervist me një nga mësimdhënëset që po mbajnë gjallë arsimin në këtë kohë të pandemisë së virusit COVID 19, duke zhvilluar mësimin online (mësimi në distancë).

Ne si portal do të zhvillojmë një intervistë të shkurtër me A. Islamaj, mësimdhënëse e klasës së parë në SHFMU ‟Dardania‟ në Prishtinë.

– RKSPRESS – Cila është përshtypja juaj për këtë formë të mësimit?

– A. Islamaj – Duke e marrë parasysh gjendjen e jashtëzakonshme nëpër të cilen po kalon vendi ynë, kjo është forma më e përshtatshme, ndonëse jo më e mira, që femijët tanë mos të mbesin mbrapa në mësime.

 

RKSPRESS – Si ndjeheni kur para jush nuk qëndrojnë nxënësit, por kamerat?

– A. Islamaj – Ndjenjë aspak e këndëshme. Por, mësimdhënësi duhet të jetë gjithnjë të përgatitur për çdo sfidë, çoftë ajo edhe e papritur. Kamera tek unë zëvëndësonte fytyrat e buzëqeshura të fëmijëve kur do ta shohin mesuesen/in dhe mesimin ne ekranin televiziv.

 

 

– RKSPRESS – Sa mendoni që mund të kontribuoni tek nxënësit me këtë formë të mësimit?

– A. Islamaj – Kjo formë e komunikimit nuk është më e mira, por as e pamundura. Besoj që edhe kjo formë është e dobishme, sepse nxënësit kanë mundësi të kenë disa mësimdhënës të ndryshem në të njejtën kohë, me metoda të ndryshme të mësimdhënies. E rëndësishme është që ata të kenë motiv për të mësuar.

 

– RKSPRESS – Çfarë ju shtyri të merrni pjesë në mësimin online?

– A. Islamaj – Të merrja pjesë në mësimin online më shtyri dashuria ndaj profesionit, ndaj nxënësve të mi, të cilet me padurimin prisnin çdo ditë dhe bënin pyetje të tilla si: Kur do të dal mesuesja e jonë?; A e ka marr malli mësuesen për ne?; A na ka harru mesuesja neve…?, e sa e sa pyetje të tjera nga vogëlushët e klasës së pare, të cilat m’i thonin prindërit e tyre…!

 

– RKSPRESS – Cilat ishin sfidat e juaja në këtë detyrë humane?

– A. Islamaj – Përveç shëndetit që e kishim të rrezikuar, si sfidë, e kisha udhëtimin mbi 100km, vetëm e vetëm që të xhiroj njesitë mësimore që nxënësit e mi kur të rriten ta kujtojnë klasen e parë, se si në izolim mësuesja e tyre i kishte “vizituar” ata në shtëpitë e tyre nga ekrani televiziv

 

– RKSPRESS – Sa njësi apo orë mësimore keni zhvilluar brenda ditës?

– A. Islamaj – Xhirimet brenda ditës ishin të ndryshme. Ka ndodh të kemi  4 njësi për një ditë, por, ka fundi i xhirimeve, ne kemi xhiruar deri në 9 njësi dhe kjo me të vërtetë ishte sfiduese!

 

– RKSPRESS – Cilat janë dëshirat tuaja për të ardhmën?

– A. Islamaj – Të perfundoj sa me shpejt kjo pandemi pa raste të tjera fatale dhe t’i kthehemi përditshmërisë sonë.

Ndonëse, ky ushtar i padukshëm na sfidoi dhe na kujtoi shume gjëra, që kishim lënë pas dore, si: qëndrimin me familje- i cili na paraqiti edhe anën pozitive, sepse njerëzit janë bashkuar më shumë me njëri-tjetrin, kishin kohë për shumë gjëra edhe pse me vite nuk i kishin bërë. Kishin neglizhuar gjyshërit, prindërit e harruar nëpër shtëpitë e tyre dhe e gjithë kjo si “pasojë” e planifikimeve të jetës që i kishin ‘’ngulfatur’’ pa e ditur as ata!

 

– RKSPRESS – Cili është mesazhi juaj për nxënësit?  

– A. Islamaj – Të mësoni në çdo kohë e moment, ngase vetëm me mësime mund të arrini çdo gjë. T’i dëgjoni prindërit, ata janë personat më të rëndësishëm në jetën tuaj. T’i respektoni njerëzit e tjerë, ngase do të ndjeheni shpirtërisht të lumtur. Të gjitha këto besoj që janë esenciale për zhvillimin e tyre intelektual dhe moral në çdo kohë!

#Qëndroni në shtëpi në mënyrë që të jeni të sigurt dhe të takohemi sa më shpejt!.