Coronavirusi aktivizon biçikletat

Blerim Qerimi ia ka dalë në pikun e përhapjes së virusit korona ta nxjerrë Mirlindin në natyrë. Kushërinjtë po pedalojnë përditë prejse masat e institucioneve shtetërore e shtrënguan Mirlindin t’ia vinte drynin laboratorit dentar. Bashkë po rrahin rrugë të rrafshëta e kodrinore nëpër fshatrat e Ferizajt.

“Jo, jo, unë më parë s’kam dalë, se s’kam kohë kur jam në punë”, thekson Mirlind Qerimi, kur pyetet se a i ka dhënë biçikletës edhe para pandemisë. “Ky ka dalë edhe para virusit”, thotë ai, duke treguar se në fillim pati probleme për shkak të mungesës së përgatitjes së duhur fizike, shkruan KOHA.

“E mira” e virusit

“Dy ditët e para nuk ka mundur të çohej prej vendit”, tregon me qeshje Blerimi, me dy duart mbështetur për timoni. “Krejt u kallën muskujt”, e pranon Mirlindi, i cili ka hequr dy këmbët nga pedalet në shtegun për biçikleta përgjatë rrugës kodrinore, “Parku i Lirisë”. Të njëjtë e ka emrin edhe parku me pisha mbi Kazermën e FSK-së në Ferizaj. Qerimët rrahin edhe rrugë më pak të frekuentuara që lidhin fshatrat përgjatë luginës së Lumit Nerodime.

Por Emerjon dhe Erdon Hasani ngjiten përpjetë rrugës gjarpëruese deri në krye të lumit në Jezerc. Binjakët, lojtarë të ekipit U17 të Ferizajt në futboll, edhe më parë kanë dalë me biçikleta për ta ngritur përgatitjen fizike. Pas shfaqjes së virusit me kurorë, po u bashkohen edhe disa shokë.

“Unë kam dalë me shokë që më parë kurrë nuk kanë dalë me biçikleta, e tash në kohën e pandemisë e kanë blerë biçikletën veç për me dalë. Ata po vijnë me ne këndej”, thotë Erdoni, pranë ujëvarës që derdhet në asfaltin e lagjes së parë në hyrje të fshatit. Vëllezërit i bëjnë njëzet deri në tridhjetë kilometra në ditë. “Na e kemi traken për ushtrime edhe në shtëpi, por ndryshe është në natyrë. Natyra të relakson”, shton ai ndanë shtratit të lumit që gurgullon. “Tash krejt rruga veç me biçikleta është. Është rritur numri shumë”, thekson Emërjoni.

Grupe të rinjsh lëshohen teposhtë e ngjiten përpjetë rrugës prej pesëmbëdhjetë kilometrash deri në qytet. Djem e vajza, me e pa maska, u japin biçikletave edhe përgjatë rrugëve të qytetit, por edhe në rrugë periferike me më pak qarkullim makinash.