Tarifa, reciprociteti dhe rreziqet

Nga Rrahman Paçarizi

Qëndrimi i Albin Kurtit për tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe për raportet me Serbinë ka qenë konsistent dhe kjo do thënë pa ekuivoke. Gjatë fushatës z. Kurti nuk ka thënë se do ta mbajë a mbrojë taksën e vënë nga qeveria Haradinaj – ai ka thënë se do të vërë masa reciprociteti të plotë ndaj Serbisë. Kjo është një nga pikat ku unë pajtohem plotësisht me kryeministrin Kurti.

Nëse kam pasë dilema për qëndrimin amerikan, ambasadori Grennell është tregu shumë i qartë, duke na i heqë dilemat, kryeministrit Kurti, shefit të opozitës Veseli, ish-kryeministrit Haradinaj dhe mua, në këtë rast si qytetar i Kosovës. Pra, nëse heqja e tarifës është kushti për rrugën përpara, ajo duhet të hiqet dhe kryeministri Kurti duhet dhe do ta bëjë një gjë të tillë, sado që ky vendim bëhet koxha i vështirë, tash kur z. Haradinaj si “pronari” i atij vendimi është në opozitë.

Unë personalisht, që nga fillimi e kam pa tarifën si veprim të ngutshëm dhe emocional dhe në vend të saj kam besu dhe shkru se duhet reciprocitet në raport me Serbinë.

Tash, kur kjo duket se do të bëhet realitet, unë i kam dy shqetësime:

1. Heqja e tarifës pa asnjë përfitim;

2. Natyra e komplikuar e reciprocitetit, që në njërën anë mund të përdoret për populizëm nga qeveria Kurti, ashtu si tarifa nga qeveria Haradinaj dhe në anë tjetër për shkakun e ngutjes së një pjese që arsyeton kundër reciprocitetit me qëllimin që të hiqet tarifa e të mos aplikohet reciprociteti.

Ky arsyetimi i fundit ndodh ngaqë dikush ende beson se ne tavolinë është opsioni i shkëmbimit të territoreve apo korrigjimi i kufijve.

Unë mendoj, e mund ta kem gabim, që heqja e tarifës duhet të shoqërohet nga aplikimi i menjëhershëm i reciprocitetit, jo për ta zëvendësu tarifën, por për ta dëshmu sovranitetin dhe fuqinë e shtetit të Kosovës. Për të bërë kështu, reciprociteti nuk duhet të proklamohet apo të shpallet, por thjesht të jetësohet, duke mos dhënë mundësi reagimesh nga faktori ndërkombëtar.

Deklaratat e Vuçiqit se Kosova nuk mund të aplikojë reciprocitet me Serbinë, pasi Serbia nuk e njeh Kosovën, janë deklarata koti, pasi Kosova edhe pa u njohë nga Serbia ka arritë të vërë tarifën prej 100 për qind për mallrat nga Serbia.

Pra, njohja ose jo e Kosovës nga Serbia, nuk e pengon Kosovën të mos i pranojë targat e Serbisë, të mos i pranojë letërnjoftimet, por të kërkojë pasaporta nga qytetarët e Serbisë që duan të hyjnë në një shtet tjetër, pra në shtetin e Kosovës dhe t’u vërë vula hyrëse atyre pasaportave, të kërkojë dokumentacion përcjellës për mallrat serbe ku shkruan Republika e Kosovës ose Kosova/Kosovo, të mos njohë diplomat e Serbisë, madje as për punonjësit serbë në institucionet e Kosovës etj etj.

Ja që paska reciprocitet, i cili për Serbinë është politikisht shumë më i dhimbshëm sesa tarifa 100 për qind e cila mund t’i ketë shkaktu Serbisë dëme financiare, por në anë tjetër nuk i ka sjellë dobi Kosovës, meqë çmimet janë rritë, ndonëse ky është risk që llogaritet në raporte të këtilla.

Ata që po nguten duke thënë se s’mund të ketë reciprocitet, po thonë se në një rast të tillë Kosova do të shkelte marëveshjen e arritura në Bruksel.

Serbia e ka shkelë marrëveshjen për mos me e pengu Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëare, duke pengu anëtarësinim në UNESCO e në Interpol, apo jo? Pra, pa u thellu në analiza të mëtejshme, unë pajtohem me plakun që tha: “Reciprociteti është – ma bon, ta boj”.

Por, për të qenë reciprocitet, ai duhet të alikohet duke ndjekë me kujdes hapat e Serbisë dhe duke iu përgjigjë me të njëtën masë. Për të qenë reciprocitet e jo populizëm për vota, nuk duhet të proklamohet, por të aplikohet.

Ndërkohë, sjellja me kujdes me rastin e heqjes a pezullimit të tarifës, duhet të arsyetohet dhe të arrihet njëfarë konsensusi, së pari ndërmjet dy partnerëve të koalicionit qeveritar e më pas edhe me opozitën, për të mos provoku situata të pakëndshme. Vetëm raporti me Serbinë nuk guxon të na shkaktojë situata të pakëndshme.