Pse askush nuk po flet për përgjegjësinë komanduese në stacionin policor në Gjilan

Pse askush nuk po flet për përgjegjësinë komanduese në stacionin policor në Gjilan

Nga Musa Sabedini- E dhimbshme kjo tragjedi, e tmerrshme edhe më e madhe kur zyrtarja policore kryen krimin mbi anëtarët e familjes. Tragjike kur në tërë këtë papërgjegjësi komanduese heshtë Alban Ramushi. Çfarë po ndodhë me zinxhirin komandues të policisë në Gjilan, pse askush nuk merret me standardet, policët e dyshuar në krime, fajde, bixhoz, prostitucion, dhunë familjare, kërcënime. Pse Alban Ramushit i del kohë tërë ditën të shkojë pas Lutfi Hazirit, e nuk merret me problemet e shumta që ka policia e Gjilanit.

Kam menduar shumë më herët që të merrem me rolin e Alban Ramushit, si komandant i policisë në Gjilan, por ja që erdhi ky moment sepse heshtja e tij flet shumë, sepse qëndrimi i tij i heshtur tregon shumëçka.

Gjatë tërë ditës së sotme kanë ndodhur shumë gabime, lëshime profesionale. Gabime bënë edhe mediat online dhe televizionet gjatë raportimit me shumë pasaktësi dhe terrorizim ndaj publikut.

Por t`i kthehemi pjesës kryesore, si është e mundur që një zyrtare policore e heshtur të punojë, veprojë dhe të vrasë familjen e saj me revolen zyrtare. Ajo kishte dosje kriminale, kishte vërejtje edhe nga palët, kishte vendime e vërejtje se diçka nuk është në rregull me punën e saj.

Askush sot nuk po flet për përgjegjësin që ka zinxhiri komandues brenda policisë në Gjilan. Gjilani është vend i çudirave sepse para një viti kishim një vetëvrasje të një polici dhe kishte heshtje totale, dhe tani kemi një rast tragjik, ku policja vret familjarët e saj sërish me revolen zyrtare të policisë.

Është e habitshme se si është e mundur që Alban Ramushi tërë kohën e kalon pas tubimeve partiake dhe në shoqëri të përhershme të Lutfi Hazirit, duke përfunduar në orët e vona nëpër kafiteri të qytetit.

E kam përkrahur vendosjen e Alban Ramushit në krye të policisë në Gjilan, duke menduar se ishte gjeneratë e re dhe me perspektivë, por ai deri tashti e ka zhgënjyer pothuajse një qytet.

Alban Ramushi e din shumë mirë se çfarë kuadri ka brenda policisë, e din saktë se cilët polic kanë dosje kriminale dhe pse nuk ndërmerret asgjë ndaj tyre. Albani e din saktë se kush nuk duhet të vesh fare uniformën e policisë.

Fatkeqësisht aspak nuk më ka ardhur befasi kjo tragjedi kur e di se çfarë policësh kemi brenda. Një polic që është dhunues ndaj gruas, ndaj familjes, çfarë pret prej tij që të ketë raporte ndaj qytetarit të rëndomtë.

Nuk po e fajësoj Alban Ramushin, por përgjegjësia e tij është e madhe. Ai duhet urgjentisht të marrë masa vetedijësuese, të punojë natë e ditë me ekipe me profesionist për ta bërë të besueshme policinë, për ta ngritur nivelin profesional brenda policisë, për t`i bërë publike të gjitha denoncimet e qytetarëve ndaj policëve.

Është për keqardhje edhe sjellja e Lutës sot. Pse të mbahet ajo konferencë tek shtëpia ku ndodhi tragjedia, pse tërë ky pompozitet mediatik, në vend se Luta të kërkojë përgjegjësi nga Alban Ramushi ose raport se çfarë po ndodhë me pjesëtarët e tij. Ishte e tëra cirkus sepse në vendin ku ka ndodhur tragjedia ka mundur vetëm forenzika, prokurori kujdestar dhe gjykatësi hetues të jenë të pranishëm, askush tjetër.

Mendoj se këto këshilla “alarmuese”, Albani dhe shokët e tij duhet t`i marrin me shumë dashamirësi, assesi tendencioze sepse është e pamundur të heshtet tutje para këtij arsenali gabimesh që po ndodhin brenda policisë.

(Autori është ligjërues universitar dhe korrespondent shumëvjeçar nga Gjilani)