Për shkak të filozofisë antiamerikane të qeverisjes, Kosova mund të ketë pasoja shumëvjeçare

Nga Adil Behramaj

Në garën e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës për t’ia numëruar dështimet Amerikës, po dominojnë filozofët oborrtarë. Ata që me vite janë munduar ta shndërrojnë Albin Kurtin në kult. Në Albin Kult.

Filozofi Elvis Hoxha, që është si ngjizje botëkuptimesh mes Perëndimit dhe Lindjes, si në mes Elvis Prisllit dhe Enver Hoxhës, sot e paska krahasuar emisarin e presidentit Trump për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, me ish-ambasadorin Robert Gelbard. Si emisar i ish-presidentit Klinton për Ballkanin, Gelbard nuk e kishte quajtur UÇK-në organizatë terroriste, siç pretendon ai, por kishte thënë që rrezikon të quhet terroriste.

Megjithatë, ky është një rast tipik për t’ia sqaruar filozofit, që e kishte stërpërsëritur realpolitikën, se çfarë do të thotë ajo vërtet në realitet dhe jo vetëm në amnezinë e tij.

Ky rast dëshmon më së miri se çfarë janë sanksionet amerikane.

Edhe 22 vjet më pas, çdo ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ende i vuan pasojat e trajtimit të UÇK-së si organizatë me rrezikshmëri të lartë asokohe nga administrata e SHBA-së.

Çdo ish-pjesëtar i UÇK-së, nëse edhe sot aplikon për vizë amerikane, i duhet t’i nënshtrohet një procedure tejet të mundimshme, krejtësisht tjetër nga ata që nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së, për marrjen e një vize.

Krejt kjo bëhet përkundër politikës së vazhdueshme mbështetëse të SHBA-së për Kosovën në këto dy dekada, si kësaj republikane, ashtu edhe asaj demokratike.

Pra, i padashur Frankenshtajn, rreziku që Kosova të futet në institucionet amerikane si shtet me preferenca negative, për shkak të filozofisë suaj antiamerikane të qeverisjes, lë pasoja shumëvjeçare për popullin dhe shtetësinë tonë, që shtet na ka bërë Amerika, të cilat vështirë rikuperohen me dekada të tëra.

Nëse SHBA-ja e ndryshon qasjen ndaj Kosovës për shkak të qasjes suaj të papërgjegjshme, përkundër që pas një jave ju mund ta kuptoni se çfarë i keni bërë Kosovës dhe të dëshironi ta përmirësoni gabimin, pasojat për vendin nuk përfundojnë me teket tuaja.

Këto pasoja nuk i vuajnë asnjëherë vetëm qeveritarët, të cilët vijnë e shkojnë, por edhe qytetarët e vendit që futet në sanksione.