KOSOVA KA NEVOJË PËR SERIOZITET DHE PËRGJEGJËSI NË POLITIKËN E JASHTME

Nga Ruben Avxhiu

E vetmja që nuk e shpalli publikisht njohjen nga Xhamajka ishte Ambasadorja Vlora Çitaku – për ironi ajo është e vetmja që mund të ndëshkohet për këto deklarata

Ka nisur keq kjo ditë për Kosovën sot, pasi ministrja e Jashtme e Xhamajkës u detyrua të mohojë publikisht se vendi i saj e ka njohur Kosovën.

Se çfarë ka ndodhur është në hetim, po nxitimi për t’ia lënë barrën e fajit Ambasadores Vlora Çitaku nuk premton për ndryshime serioze në shtetin e Kosovës.

Ka një shprehje të famshme e Presidentit Truman, “the buck stops here”, kuptimi i të cilës ishte që kushdo që ta kishte fajin në administratën e tij, përgjegjësia i mbetej atij si President. Në Kosovë ashtu sin ë Shqipëri, përgjegjësinë gjithmonë e ka dikush tjetër, vetëm drejtuesit e institucioneve jo.
Pa dyshim që ky është një moment i sikletshëm për drejtuesit e shtetit të Kosovës, që pasi falenderuan publikishte Xhamajkën dhe kryeministrin e saj për njohjen tani do të durojnë përqeshjen në publik nga serbët, hijen mbi imazhin jo serioz të Kosovës si shtet, për të mos thënë rrezikun se duke e deklaruar para kohe njohjen e mundshme ta kenë sabotuar atë.

Nuk është hera e parë që ndodh kjo si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Të përfshirë në një garë për të shpallur njohje e mosnjohje, udhëheqësit e të dy vendeve shpesh kanë festuar para kohe në publik. Politika e brendshme është bërë pjesë e asaj të jashtme, apo e kundërta, dhe përgënjeshtrimet shpesh nuk kanë aq bujë sa lajmet e gëzuara. Për disa udhëheqës të këtyre vendeve për fat të keq, puna e njohjeve është bërë thjesht pjesë e betejës së brendshme politike.

Njohjet në këtë pikë kanë rëndësi, po jo peshën që gëzonin dikur. Më e rëndësishme për Kosovën është që të bëhet një shtet ku qytetarët shohin begati e ku duan të jetojnë, rrisin fëmijët, e të vdesin, sesa nëse i njeh 110 apo 111 vende.

Shfaqja në horizont e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e kalon gjithashtu në plan të dytë, në mos të tretë procesin e njohjes. Sa do të drejtë të ketë Kosova që të njihet si shtet, apo sado përpjekje që të bëjë Serbia me ndihmën e Rusisë, të dyja palët kanë arritur njëfarësoj kufirin e mundësive të tyre. Edhe nëse ndryshojnë disa vende qendrimet e tyre, pak a shumë këto janë raportet e njohjeve që do të mbeten për shumë kohë, nëse nuk ka një marrëveshje mes dy vendeve.

Shumica e atyre që nuk e njohin Kosovën nuk kanë ndonjë problem me të. Kanë arsye të tyre të brendshme. Ose kanë parime që kushtëzojnë njohjën me anëtarësinë në OKB. Ose pastaj janë aleate apo të varura nga Rusia apo armiqësore ndaj SHBA-së dhe kanë më shumë përfitim që të mos e njohin Kosovën.
Tani përtej analizës së gjendjes ndërkombëtare, meriton vëmendje praktika e punës. Kosova duhet të tregojë vetëpërmbajtje në këtë drejtim, pikërisht sepse kjo nuk e ka më rëndësinë që ka pasur më parë.

Asnjë drejtues institucioni nuk ka pse deklaron para kohe njohjet. As që po vijnë njohjet. As që ndodhi njohja. Të paktën jo deri sa të ketë kofirmim. Përndryshe kjo mund të sabotojë dhe shpesh ka sabotuar njohjet. Disa herë ministria e Jashtme në vite ka paralajmëruar njohje të cilat nuk kanë ndodhur, sepse mesguri, Serbia nëpërmjet Rusia ka nxituar të sabotojë procesin duke nxitur të paktën shtyrjen e deklarimit.

Për fat të keq, politikanët shqiptarë kanë në garë me njëri-tjetrin më shumë se me Serbinë dhe nxitojnë të marrin pëlqime e falenderime në rrjetet sociale një gjë që për ta ka më shumë rëndësi se një shtet diku aty për të cilin kanë pak informacion.