Veseli: Sot, një hap më afër BE-së

Këshilli i Ministrave të BE-së, vendosi në një video-konferencë të zhvilluar të martën në mesditë që të japë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Këtij lajmi i është gëzuar, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Ai ka thënë se kjo ngjarje është e rëndësishme jo vetëm për këto dy shtete, por edhe për Kosovën e mbarë rajonin

Më poshtë postimi i plotë i Veselit:

Një lajm i mirë sapo ka ardhur për rajonin në këtë kohë të vështirë që po kalon Kosova dhe krejt bota. Këshilli i Ministrave të BE-së, sot, më në fund, vendosi që të japë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Urojmë përzemërsisht bashkëkombasit tanë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kjo ngjarje është e rëndësishme jo vetëm për këto dy shtete, por edhe për Kosovën e mbarë rajonin, sepse që nga sot gjendemi një hap më afër BE-së. Shpresoj që ky përmirësim i qëndrimit të BE-së përkundrejt Ballkanit Perëndimor, që po demonstrohet nga ky vendim, të ketë si hap tjetër të natyrshëm edhe liberalizimin e shumëpritur të vizave për qytetarët e Kosovës.