Thaçi: Jap dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë adresimit ndaj publikut se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.

Thaçi ka thënë se gabime politike edhe mund të ketë bërë, por krime të luftës kurrë.

“Nëse do të mund të kthehesha në vitet e errëta të (v.j. ish-liderit serb, Sllobodan) Millosheviqit, do ta bëja gjënë e njëjtë, duke iu përgjigjur plumbit të armikut me plumb të etur për liri dhe duke mos i bërë keq asnjë serbi, romi apo qytetari shqiptar”.

Thaçi ka thënë mes tjerash se ai do të ishte njeriu më i lumtur nëse do ta shihte se komuniteti ndërkombëtar do të aplikonte standardet e njëjta ndaj Kosovës dhe Serbisë, kur është fjala për krimet e luftës.

“Fatkeqësisht nuk e shohim këtë standard dhe në mënyrë proporcionale, e shoh të kundërtën. Andaj jemi këtu sot. Serbia avancon në rrugën e saj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa Kosova nuk e gëzon as të drejtën e lëvizjes së lirë. Unë nuk shoh konspiracion kundër Kosovës, mirëpo qasja e ndryshme nga komuniteti ndërkombëtar ndaj këtyre dy kombeve është fakt”, ka deklaruar Thaçi.

Ky është adresim i parë publik i Thaçit që nga njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë më 24 qershor, se kundër presidentit të Kosovës ka paraqitur aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Sipas njoftimit, Prokurori më 24 prill ka dërguar aktakuzën për shqyrtim me dhjetë pika, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe “të tjerë”, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Adresimi i Presidentit të Republikës së Kosovës për qytetarët:

Motra dhe vëllezër, bashkëqytetarë dhe bashkatdhetarë, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe në diasporë,

Ju drejtohem sonte nga kjo zyrë ku prej 1542 ditësh kam nderin e jashtëzakonshëm të ushtrimit të detyrës së lartë të Presidentit të shtetit tonë, Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike!

Zemra ime është e lënduar, por jo e thyer.

Mendja ime është e rënduar, por jo e turbulluar.

Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njëjtësuar me gjakun e bashkëluftëtarëve që humba në luftë.

Është i njëjtë me gjakun e atyre që më kanë dashur e më kanë mbështetur pa kursim në këtë rrugëtim për liri dhe shtetndërtim.

E në këto çaste edhe me gjakun e atyre që më kanë kundërshtuar, më kanë paragjykuar apo gjykuar ndryshe nga çfarë unë do të dëshiroja.

Ndjehem sot, si asnjëherë më parë, krejt i çliruar prej brengave dhe peshës së ballafaqimeve politike.

Këto brenga nganjëherë kanë marrë përmasa më të mëdha se sa që e kanë merituar.

Kanë mjegulluar në sytë tuaj faktin e thjeshtë se jemi të gjithë bij e bija të kësaj toke dhe të gjithë e duam më të mirën për atdheun tonë, Kosovën.

Por, politika i ka edhe këto.

Është krejt e natyrshme që në këtë moment jo të lehtë për mua, më janë kujtuar ata që kanë dhënë jetën për liri.

Të tjerë që i kam njohur gjatë rrugës time të gjatë, nga koha kur isha një djalë idealist që doja të ndryshoja botën, e deri tek e sotmja me thinja të bardha.

Kam kujtuar momente historike e momente krejt personale.

Kam menduar për prindërit e mi, gjyshërit, familjen dhe djalin tim, Endritin.

Ai që sot është bërë burrë e mund ta shoh në sy pa mu dridhur qerpiku lidhur me gjoja nisjen e një procesi për krime lufte!

E kam kuptuar shumë herët se ne, luftëtarët e UÇK-së, do të paguanim një çmim të madhe njerëzor, familjar e politik.

Ky është çmimi për lirinë e Kosovës.