Shërohen edhe gjashtë pacientë nga Covid-19

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës bën të ditur se janë shëruar gjashtë persona nga koronavirusi, transmeton Klan Kosova.

“Sot më 03.04.2020, janë të shëruar edhe gjashtë (6) pacientë derisa numri i përgjithshshëm i të shëruarve deri me sot është gjashtëmbëdhjetë (16)”.

“Falënderojmë Klinikën Infektive dhe stafin e profesionistëve për shërimin e pacientëve”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Nga data 08.02.2020 deri me 03.04.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.605 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 132 raste me 1 rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 2.772 kontakte të rasteve.