Policia e Kosovës ende pa sigurim shëndetësor e jetësor

Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 21 pjesëtarë të saj kanë humbur jetën në detyrë.

20 vjet pas luftës, policët e Kosovës vazhdojnë të punojnë pa sigurim shëndetësor dhe jetësor.

Nga Sindikata e punëtorëve të këtij institucioni thonë se janë lodhur e mërzitur nga premtimet e vazhdueshme, raporton KTV.

Që nga Hashim Thaçi sa ishte kryeministër, e ai në detyrë, Ramush Haradinaj, në takime të shumta me sindikalistët premtuan krijimin e sigurimit shëndetësor duke thënë se është prioritet për qeverisjen e tyre.

Njohës të çështjeve të sigurisë kritikojnë institucionet që neglizhuan krijimin e sigurimit shëndetësor, duke theksuar se një gjë e tillë është e domosdoshme të ndodhë sa më shpejt.

Nga Fondi i Subvencioneve dhe Transfereve, Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 mijë euro për familjen e policit të vrarë të martën gjatë një aksioni bastisjeje në një rast për narkotikë në Zhur, dhe 10 mijë të tjera për dy policët e lënduar.

Megjithatë, sipas Avni Islamit, kjo nuk është e mjaftueshme, pasi një gjë e tillë duhet rregulluar me ligj.

Ndërkohë, përveç pensionit prej 70% të pagës, Qeveria në detyrë këtë të mërkurë ka miratuar vendimin për ndarjen e 300 eurove shtesë të pensionit familjar mujor për policët e rënë në detyrë.