KMDLNj-ja dënon kërcënimin e deputetes Eliza Hoxha

KMDLNj-ja ka dënuar kërcënimin ndaj deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha.

“Ditë më parë, deputetja e PDK- së, Eliza Hoxha përmes rrjeteve sociale është kërcënuar me jetë e që për KMDLNj-ë paraqet shkelje të të drejtave të njeriut si dhe përpjekje që përmes frikësimit të pengojë dhe pamundësojë punën e deputetes Hoxha por edhe të gjithë atyre që janë kërcënuar kohëve të fundit.  Është për brengosje se kërcënimet përmes rrjeteve sociale janë shndërruar në fenomen shqetësues për shoqërinë kosovare dhe se me këtë dukuri organet e hetuesisë dhe Prokuroria e Shtetit duhet të merren seriozisht”. është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Ata kanë vlerësuar se nëse kërcënimi shndërrohet si mënyrë e të heshturit të kundërshtarit politikë dhe jo vetëm politikë dhe nuk e kemi reagimin e shpejtë dhe në përputhje me ligjet në fuqi, atëherë demokracia do të bëhet shumë e lëndueshme për faktin se po rrezikohet njëra ndër të drejtat elementare të njeriut, e drejtë e shprehjes së lirisë së mendimit, liria e lëvizjes deri te e drejta për jetë.

“KMDLNj – kërkon hetime të shpejta në mënyrë që kërcënuesi/t të nxirren para drejtësisë ku do të zbardheshin motivet e kërcënimit të rëndë ndaj deputetes Eliza Hoxha. Deri në përfundim të hetimeve, KMDLNj-ë kërkonte mos paragjykohet rasti”, është thënë në reagim.