Haziri dëshiron që sot të përfundojë marrëveshja për koalicion mes VV-së dhe LDK-së

Albin Kurti e Isa Mustafa, në cilësi të kryetarëve të VV-së, respektivisht LDK-së do të mbajnë sot takimin e rradhës në përpjekje për arritjen e koalicionit qeverisës.

Takimi i sotëm vjen pas atij të djeshmit, pas të cilit palët deklaruan se “ka lëvizje”, mirëpo që nuk ka ende marrëveshje, shkruan lajmi.net.

E sipas shumë zyrtarëve të të dy partive, dita e sotme do të jetë dita e përmbylljes së marrëveshjes, pasi që kanë mbetur edhe disa çështje për t’u diskutuar, por që në parim ka pajtueshmëri.

Që marrëveshja të përfundojë sot, po dëshiron nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Ky i fundi për lajmi.net tha se megjithatë, përmbyllja sot e marrëveshjes nuk varet vetëm nga partia e tij, por edhe nga Vetëvendosja.

“Do të doja shumë të përfundonte sot. Kjo nuk varet vetëm nga LDK, por edhe VV”, ka thënë shkurtimisht Haziri për lajmi.net.

Ndryshe, Vetëvendosje do të dërgojë gjatë këtyre ditëve emrin e mandatarit për kryeministër tek presidenti Thaçi.

Një veprim i tillë i VV-së, përbën shkelje të afatit të caktuar nga presidenti për caktimin e emrit për kryeministër, afat ky që përfundoi gjatë ditës së djeshme.

Sipas asaj që është raportuar në media, LDK mund të marrë dy ministri më shumë se Vetëvendosje, për shkak se kjo e fundit tashmë ka pozitën e kryeparlamentarit, post ky që në pajtimin paraprak i ishte premtuar pikërisht LDK-së.

Ndërkaq, mbetet të shihet edhe pajtueshmëria për postin e presidentit, çështje kjo që e ka mbajtur pezull marrëveshjen që nga përfundimi i zgjedhjeve dhe fillimi i negociatave VV-LDK.