Behramaj:Vjosa Osmani edhe pse është juriste nuk ka lidhje me kushtetutshmëri

Adil Behramaj, këshilltari i Presidentit Thaçi ka thënë se Vjosa Osmani edhe zyrtarisht paska dalë kundër partisë së saj LDK’së e pro VV’së, shkruan Gazeta Metro.


Behramaj, ka thënë se se të gjitha partitë kanë politikanë si Vjosa Osmani që konkurrencën e brendshme mes kolegëve e lufton duke i mbështetur konkurrentët e jashtëm.

“Çdo parti ka konkurrencë të brendshme dhe politikanë ambiciozë. Por, asnjë parti nuk ka politikane si Vjosa Osmani, që konkurrencën e brendshme mes kolegëve e lufton duke i mbështetur konkurrentët e jashtëm të partisë së saj”, ka shkruar ai në Facebook.

Ky është reagimi i plotë:

Vjosa Osmani garoi me sloganin “Beso”, por qytetarët nuk i besuan dhe humbi. Përkundër kësaj, LDK-ja vazhdoi t’i besonte. Pas zgjedhjeve ia besuan edhe pozitën e Kryetares së Kuvendit. Megjithatë, ajo si për ironi po vazhdon të mos besojë në partinë e saj. Me komentet që i paska dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, siç raportuan mediat, Vjosa Osmani zyrtarisht e paska përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje dhe jo partinë e saj. Ajo e paska kontestuar dekretin me të cilin bashkëpartiaku i saj, Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit si kandidat për kryeministër për ta formuar Qeverinë e re.

Në fakt, përkundër që është juriste, Vjosa Osmani nuk ka lidhje me kushtetutshmëri dhe këtë e ka dëshmuar shumë herë deri më sot. LDK-ja ka pësuar sa herë që asaj ia ka besuar “avokaturën”. Por, meqë këtë radhë qenka bërë avokate e Kurtit, paskan shpëtuar prej saj.

Çdo parti ka konkurrencë të brendshme dhe politikanë ambiciozë. Por, asnjë parti nuk ka politikane si Vjosa Osmani, që konkurrencën e brendshme mes kolegëve e lufton duke i mbështetur konkurrentët e jashtëm të partisë së saj!

Ajo më e përgjegjshme do të tregohej sikur t’i merrte parasysh rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të bënte punën e saj si Kryetare e Kuvendit për t’i ndërmarrë nismat e nevojshme ligjore për menaxhimin e pandemisë, se ta ndihmonte zyrtarisht e publikisht shefin e vërtetë të saj, duke e tradhtuar pabesisht edhe partinë që e rriti dhe që aktualisht i takon!/gazetametro.net