Bajqinovci: “Albin Kurti do të jetë kryeministër ditën e hënë”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci është shprehur i bindur se Albin Kurti do të bëhet kryeministër ditën e hënë.

Bajqinovci, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se plani i Vetëvendosjes është që të hënën të bëhet qeveria dhe Albin Kurti të jetë kryeministër.

Ai ka thënë se qeveria do të ndërtohet nga partneriteti LVV-LDK pasi sipas tij kështu ka vendosur elektorati me rreth 430 mijë vota në zgjedhjet e fundit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se votimi i Glauk Konjufcës është proces i pakthyeshëm dhe sipas tij kërkesa e LDK-së për dorëheqje të tij është joserioze.

“Në ofertën e dytë që në i kemi bërë LDK-së, posti i kryeparlamentarit ka qenë për ta por ata nuk kanë dashur”.

Bajqinovci thotë se tashmë dihet hapur se Agim Veliu është personi më i ngurtë në raport të arritjes së koalicionit LVV-LDK.

“Unë mendoj se Agim Veliu është kundër koalicionit me ne”.

Ai ka thënë se shumica e zyrtarëve të LDK-së e duan koalicionin me Vetëvendosjen dhe sipas tij këtë koalicion e do edhe populli.

Deputeti i LVV-së thotë se personalisht beson se koalicioni do të arrihet deri të hënën.